Shtatëmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile i janë drejtuar Byrosë së Kuvendit me një kërkesë zyrtare për marrjen e masës disiplinore “Vërejtje” ndaj deputetes Zegjine Çaushi, duke pretenduar se ajo ka përdorur gjuhë fyese dhe denigruese ndaj kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.
Në letrën drejtuar drejtuesve të Kuvendit, organizatat argumentojnë se sjellja e deputetes në seancën plenare të 19 shkurtit përbën shkelje të Nenit 6 të Kodit të Sjelljes së Deputetit, i cili ndalon përdorimin e gjuhës së pahijshme, fyese apo denigruese në ambientet parlamentare.
Sipas tyre, duke qenë se bëhet fjalë për një sjellje të përsëritur jo etike, masa “Tërheqje e vëmendjes” nuk është më proporcionale, ndaj kërkohet vendosja e masës “Vërejtje”, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.
Organizatat theksojnë se Kuvendi, si institucioni më i lartë përfaqësues, duhet të garantojë standarde të larta etike në debatet parlamentare dhe të mbrojë dinjitetin e mandatit përfaqësues. Ata kërkojnë gjithashtu që vendimmarrja e Byrosë të bëhet publike për arsye transparence.
Në fund të shkresës, nënshkruesit kërkojnë një përgjigje brenda 10 ditëve pune lidhur me masat që do të merren.
