Partia Socialiste mblidhet sot në orën 09:00 në mbledhjen e Kryesisë, në një moment të tensionuar pas ndryshimeve të forta në qeveri. Në takim pritet të jetë i pranishëm edhe kryeministri dhe njëkohësisht kreu i PS-së, Edi Rama.
Në fokus të mbledhjes pritet të jetë caktimi i datës së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, ndërsa në diskutim mund të jetë edhe kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.
Mbledhja vjen pak ditë pas riformatimit të kabinetit qeveritar, ku u vendosën disa ndryshime të rëndësishme:
- Besfort Lamallari kaloi nga Ministria e Drejtësisë në Ministrinë e Brendshme;
- Toni Gogu mori drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë;
- Ferit Hoxha u emërua Ministër i Jashtëm;
- Albana Koçiu u bë Zëvendëskryeministre;
- Ermal Nufi mori drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes;
- Erjona Ismaili u emërua Ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin;
- Enea Karakaçi mori drejtimin e Ministrisë së Energjisë;
- Belinda Balluku u largua nga posti i Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ndërkohë, Rama ka komentuar ndryshimet në qeveri, duke i cilësuar si pjesë e një “qasjeje të re” në funksion të mandatit aktual. Ai u shpreh se ndryshimet ishin të parapara, por shtoi se në rrethana të tjera nuk do të kishte ndryshuar zëvendëskryeministren, duke iu referuar Ballukut.
Kryeministri theksoi se për çështjen e kërkesës së SPAK për arrestimin e saj do të flasë më gjerësisht pasi të shqyrtojë raportin e Këshillit të Mandateve.
Mbetet për t’u parë nëse mbledhja e sotme do të sjellë vendime të reja politike apo vetëm konfirmim të hapave organizativë brenda partisë.
