Brisi Selmani, një e re shqiptare që jeton dhe punon në Dubai, deklaroi në një lidhje direkte televizive se situata aktualisht është e qetë dhe nën kontroll, pavarësisht tensioneve të fundit në Lindjen e Mesme.
Ajo bëri me dije se gjatë mëngjesit ka pasur disa sulme, por më pas gjendja është stabilizuar dhe aktiviteti ka vijuar normalisht.
“Situata sot ka qenë mirë, ka pasur disa sulme në mëngjes, por më pas gjithçka ka qenë e qetë. Nuk dua ta minimizoj situatën, por dua të theksoj forcën dhe menaxhimin që qeveria ka pasur”, u shpreh ajo.
Selmani shtoi se komuniteti shqiptar në Dubai numëron rreth 2 mijë persona dhe se deri më tani nuk ka pasur probleme për ta.
“Ne jemi rreth 2 mijë shqiptarë këtu. Gjithçka është në rregull, puna nuk ka pasur ndalesë, shërbimi publik ka vazhduar normal”, tha ajo.
