Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, dënoi në seancën plenare të Kuvendit dhunën e ushtruar gjatë protestës së Partisë Demokratike, duke theksuar se akte të tilla kanë pasoja serioze për ekonominë, turizmin dhe sigurinë e qytetarëve.
Gjatë fjalës së saj, Luarasi u ndal te incidenti pranë Vilës 31, ku sipas saj ndodheshin 12 artistë, dhe ku u hodhën molotovë, duke krijuar një situatë frike.
“Kur flasim për turizmin, nuk po flasim për një çështje politike. Kur një turist vendos të vijë në Shqipëri, ai nuk sheh kush është në pushtet, por nëse Shqipëria është një vend i sigurt. Pamjet me molotovë, me flakë, me tension, janë pamje që për fat të keq nuk mbeten vetëm brenda Shqipërisë, sepse përhapen menjëherë në mediet ndërkombëtare dhe krijojnë perceptimin e pasigurisë”, u shpreh ajo.
Sipas deputetes, mjafton një titull apo një foto me molotovë në zemër të Tiranës që turistët të anulojnë pushimet dhe të ndryshojnë destinacion.
“Turizmi nuk e do flakën dhe dhunën, sepse mjafton një titull i vetëm në mediet ndërkombëtare që shumë njerëz të largohen nga Shqipëria”, tha Luarasi.
Ajo shtoi se pasojat e dhunës nuk i paguajnë politikanët, por qytetarët dhe bizneset e vogla, duke përmendur qytete si Vlora dhe Shkodra.
“Brenda Vilës 31 ku ndodheshin artistë të huaj, u krijua një situatë frike për jetën. Fatmirësisht të gjithë janë mirë, por mesazhi që doli jashtë vendit nuk është ai që duam. Nuk është mirë të hedhësh molotovë ndaj një qendre arti”, deklaroi ajo.
Luarasi e cilësoi të papranueshme përdorimin e dhunës në protesta, duke theksuar se ajo cenon imazhin e vendit.
“Dhuna nuk është protestë, është përpjekje për të prishur imazhin e vendit. Nuk mund të kërkojmë nga Evropa të na hapë dyert kur dhuna bëhet kryeçelësi i opozitës. Institucionet ndërkombëtare e kanë dënuar këtë akt dhe ne kemi detyrimin të mbrojmë imazhin kombëtar. Shqipëria ka nevojë për qetësi dhe jo për frikë”, u shpreh deputetja.
Në përfundim, ajo theksoi se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe të kritikojnë, por jo të përdorin dhunë që cenon pronën, jetën dhe ekonominë, duke bërë thirrje për përgjegjësi, qetësi dhe respektim të ligjit.
