“Nuk ka pasur vonesa…”/ Rasti i shtetasit Ilir Paja, Ministria e Drejtësisë: Pretendimet mediatike janë kategorikisht të pavërteta

Data

Referuar disa raportimeve mediatike mbi procedurën e njohjes dhe ekzekutimit të vendimit penal italian të dhënë ndaj shtetasit Ilir Paja, Ministria e Drejtësisë ka reaguar zyrtarisht duke sqaruar se pretendimet për mosveprim, neglizhencë apo vonesa nga ana e institucionit janë kategorikisht të pavërteta.

Sipas Ministrisë, faktet zyrtare dëshmojnë se që prej nisjes së procedurës në vitin 2022, institucioni ka vepruar në mënyrë të vazhdueshme dhe të dokumentuar, duke përcjellë çdo kërkesë të Gjykatës së Apelit pranë autoriteteve italiane, si dhe duke transmetuar menjëherë çdo informacion dhe akt plotësues të mbërritur, në përputhje me legjislacionin penal vendas dhe detyrimet ndërkombëtare.

Procedura e njohjes së vendimit penal italian ndaj Ilir Pajës ka filluar në vitin 2022 me kërkesën e autoriteteve italiane, me referencë EA-ALBANIA-FM 16/2022, datë 15.11.2022, të Ministrisë së Drejtësisë së Italisë.

Me Vendimin Nr. 370 akti, datë 28.03.2023, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, lënë në fuqi me Vendimin Nr. 1340, datë 28.07.2023, të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, është njohur vendimi penal italian dhe shtetasi është dënuar me 25 vjet e 4 muaj burg.

Pas ankimeve dhe rekursit të ushtruara nga ky shtetas, Gjykata e Lartë, me Vendimin Nr. 70011-00244-00-2025 Regj.Them., datë 18.09.2025, vendosi prishjen e vendimit të Apelit dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim pranë së njëjtës gjykatë me tjetër trup gjykues.

Në zbatim të detyrave të lëna nga Gjykata e Lartë, Gjykata e Apelit i është drejtuar autoriteteve italiane për informacion plotësues në lidhje me çështjen.

Ministria e Drejtësisë sqaroi se:

– Me shkresën Nr. 28592 Prot., datë 31.12.2025, është kërkuar informacion për shtetasin Ilir Paja dhe kërkesa është dërguar në Itali më 07.01.2026 dhe 08.01.2026 (me postë dhe email zyrtar).

– Me shkresën Nr. 1910 Prot., datë 29.01.2026, është përsëritur kërkesa, e dërguar më 04.02.2026.

– Me shkresën Nr. 2263 Prot., datë 11.02.2026, është kërkuar sërish informacion, e dërguar më 19.02.2026.

Sipas Ministrisë, kërkesat janë përcjellë në mënyrë të përsëritur për shkak të urgjencës, si me postë zyrtare ashtu edhe me email.

Ndërkohë, me shkresën Nr. 983/12 Prot./R.P, datë 20.02.2026, Prokuroria e Përgjithshme ka informuar mbi vendimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm (Vendimi Nr. 438, datë 17.02.2026), e cila ka vendosur:

– pranimin e kërkesës së Ilir Pajës;

– revokimin e masës së sigurimit “arrest në burg”;

– caktimin e masës “arrest në shtëpi”;

– lirimin e menjëhershëm të shtetasit.

Ministria e Drejtësisë e Italisë ka përcjellë më 19.02.2026 aktet plotësuese në lidhje me këtë rast (vetëm në gjuhën italiane), duke theksuar se përkthimi në shqip do të dërgohet sapo të përfundojë.

Këto akte janë përcjellë pranë Gjykatës së Apelit dhe Prokurorisë së Përgjithshme me shkresën Nr. 61/9 Prot.A.H, datë 23.02.2026.

Në përfundim, Ministria e Drejtësisë thekson se ka komunikuar pa vonesë çdo informacion dhe dokumentacion të kërkuar nga Gjykata e Apelit, duke përmbushur plotësisht funksionet dhe kompetencat e saj sipas legjislacionit penal të brendshëm dhe ndërkombëtar.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related