PD rendit 6 argumentet për heqjen e imunitetit të Ballukut

Data

Partia Demokratike ka prezantuar 6 pikat përfundimtare të raportit të opozitës, përmes së cilit kërkohet heqja e imunitetit për deputeten Belinda Balluku.

Më poshtë 6 pikat e prezantuara nga PD:

1. Provohet se ekziston një procedim penal i ligjshëm dhe se në rastin konkret jemi përpara prezumimit bazik që imuniteti duhet të hiqet sepse nuk ka asnjë pretendim apo arsye të besohet se akuzat kundër deputetes Balluku janë të motivuara politikisht. Madje edhe vetë ajo, përmes avokatëve të saj, e konfirmon një fakt të tillë.

2. Provohet “dyshimi i arsyeshëm” i bazuar në prova. Prokuroria tregon në mënyrë të qartë se ekziston dyshimi i arsyeshëm dhe ai bazohet në një set provash që janë depozituar bashkëlidhur kërkesës dhe relacionit shoqërues, gjithsej 80 prova, të ndara në 12 volume.

3. Provohet rreziku për procedimin penal. Prokuroria në kërkesën drejtuar Kuvendit, si dhe në përgjigje të pyetjeve përpara Këshillit, treguan qartazi se në rastin konkret ekziston rreziku për prishjen e provave të procedimit penal nga deputetja Belinda Balluku. Pozicioni i saj si deputete e mazhorancës, ish-Zëvendëskryeministre dhe ish-ministre; lidhja e ngushtë me një numër të konsiderueshëm të ministrave aktualë në detyrë apo funksionarë të lartë të administratës publike (drejtorë të përgjithshëm të promovuar në detyra prej saj), është një tregues i qartë i lidhjeve dhe aftësisë së saj për të ndikuar në cilësinë e provave të procedimit penal.

Për më tepër, gjatë mbledhjes së Këshillit të datës 23.02.2026, prokurorët sqaruan më tej këtë rrezik, duke theksuar dhe paraqitur provat përkatëse se deputetja Belinda Balluku është përpjekur të ushtrojë presion mbi dëshmitarët, përmes dy formave:

(1) Përmes “të fortëve”, për të cilët prokuroria deklaroi se po verifikohet nëse janë të përfshirë në veprimtari të krimit të organizuar, verifikim që mbulohet nga sekreti hetimor;

(2) Përmes zyrtarëve publikë, pjesë e kabinetit të ministres, të cilët ose kanë shantazhuar për shkarkime nga puna ndaj familjarëve, ose kanë ofruar para në këmbim të ndryshimit të dëshmive dhe avokatit.

4. Provohet nevoja e kryerjes së veprimit nga ana e prokurorisë, në kuadër të përshtatshmërisë së masës së kërkuar. Prokuroria, në kërkesën e saj dhe në përgjigjet e dhëna përpara Këshillit, tregoi qartë se çdo masë tjetër, veç asaj të arrestit, është e papërshtatshme për shkak të rrezikshmërisë së lartë shoqërore të veprës penale për të cilat po procedohet dhe për shkak të personalitetit kriminal të deputetes Belinda Balluku.

Në këtë drejtim, evidentohet se rasti paraqet rrezikshmëri të shtuar për shkak të përsëritjes në vazhdimësi të të njëjtës vepër penale, duke dëmtuar drejtpërdrejt imazhin e institucioneve shqiptare në sytë e opinionit publik dhe në arenën ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, nevojat e sigurimit janë rënduar për personin nën hetim. Prokuroria nuk ka kërkuar masë sigurimi në momentin që deputetja Belinda Balluku është marrë e pandehur për një fakt penal – Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë. Më pas ka lindur nevoja për caktimin e masës së sigurimit, sepse ajo ka marrë cilësinë e personit nën hetim për një tjetër fakt penal – Ndërtimi i Lotit të 4 të Unazës së Madhe të Tiranës, ku është caktuar masa “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullim i ushtrimit të një funksioni a shërbimi publik”, e cila ka mbetur e pazbatueshme për shkak të shkarkimit nga detyra.

Më pas, në ngarkim të saj janë atribuuar edhe 6 fakte të reja penale dhe indicie për 3 të tjera, duke diktuar nevojën për kërkesë autorizimi për masën “arrest në burg” apo “arrest në shtëpi”.

5. Provohet përmbushja e të gjitha kritereve të përcaktuara nga Komisioni i Venecias për heqjen e imunitetit. Deputetja Belinda Balluku, përmes avokatëve të saj, nuk ngriti asnjë pretendim se ndodhemi përpara ndonjë prej kritereve për mbajtjen e imunitetit, si:

  • pretendime qartazi të pabazuara;
  • pasoja të paparashikuara të një veprimi politik;
  • motive politiko-partiake (fumus persecutionis);
  • rrezikim serioz i funksionimit demokratik të parlamentit.

Në mungesë të këtyre, Kuvendi është i detyruar të votojë pro heqjes së imunitetit.

6. Provohet përmbushja e të gjitha kushteve dhe kritereve ligjore për caktimin e masave të sigurisë, sipas neneve 228, 229, 230 dhe 260 të Kodit të Procedurës Penale.

Sipas raportit:

  • Ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova (80 prova).
  • Nuk ka shkaqe padënueshmërie apo shuarje të veprës penale.
  • Ekzistojnë rreziqe për prishjen e provave, largimin apo përsëritjen e veprës penale.
  • Masat e mëparshme të sigurimit janë respektuar sipas parimit të proporcionalitetit, por nevojat janë rënduar për shkak të shtimit të fakteve penale (nga 2 në 11).
  • Arresti në burg apo në shtëpi konsiderohet i përshtatshëm për shkak të rrezikshmërisë së veçantë të veprës dhe të pandehurës.

Në përfundim, PD kërkon që Kuvendi të votojë pro dhënies së autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetes Belinda Balluku, duke argumentuar.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related