Pas dëmtimit të rrugës pranë liqenit të Gjinarit, Bashkia e Elbasan ka reaguar duke sqaruar se rrëshqitja e tokës në aksin Gjinar–Liqeni i Pashtreshit ka ardhur si pasojë e erozionit.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët e bashkisë dhe të kompanisë zbatuese kanë konstatuar se dëmtimi lidhet me faktorë natyrorë. Bashkia thekson se objekti është ende në afatin kohor të garancisë dhe, në përmbushje të detyrimeve kontraktuale, kompania do të marrë përsipër ndërhyrjen për riparimin e plotë.
Aktualisht është kryer mbushja e çarjes në pjesën fundore të rrugës për të siguruar kalimin normal të mjeteve, ndërsa qarkullimi vijon pa ndërprerje.
Ndërhyrja përfundimtare, sipas bashkisë, do të realizohet gjatë muajve të verës, kur niveli i liqenit ulet dhe punimet mund të kryhen në mënyrë më efikase. Ajo do të përfshijë disiplinimin e shtratit të liqenit dhe sistemimin përfundimtar të rrugës.
