Është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare aktori i njohur i humorit shqiptar, Mane Lumani, një prej figurave më të dashura të skenës dhe pjesë e grupit legjendar “4 Parodistët e Vlorës”.
Lumani la pas një trashëgimi të pasur artistike dhe një kontribut të veçantë në humorin shqiptar, duke u bërë për dekada me radhë burim buzëqeshjeje për publikun. Me talentin e tij për imitimin dhe interpretimin e roleve komike, ai krijoi një stil të dallueshëm që e bëri menjëherë të njohur në skenë.
Prej vitit 2004, pas një ndërhyrjeje të vështirë kirurgjikale në fyt, ai humbi zërin për shkak të heqjes së kordave zanore si pasojë e një mase tumorale. Megjithatë, pavarësisht sfidës së rëndë shëndetësore, figura e tij mbeti e gjallë në kujtesën e publikut.
Karrierën e nisi në vitin 1974 si aktor amator në ndërmarrjen e Ullishtës në Vlorë. Një pikë kthese ishte krijimi i grupit “4 Parodistët e Vlorës” së bashku me Agron Hoxha, Afrim Agalliu dhe më pas Muhamet Lika, formacion që u kthye në ikonë të humorit shqiptar falë parodive dhe satirës së mprehtë.
Mane Lumani do të kujtohet si një artist që i dha skenës shqiptare elegancë, mençuri dhe të qeshura të sinqerta.
