Shtetet e Bashkuara deklaruan se kanë goditur dhe zhytur një anije luftarake iraniane të klasës “Jamaran” gjatë operacioneve të fundit ushtarake kundër objektivave të Republikës Islamike.
Sipas një deklarate të ushtrisë amerikane, bëhet fjalë për një korvetë të flotës iraniane, e cila është goditur pranë një moli në Chah Bahar, në Gjirin e Omanit. “Anija aktualisht po fundoset në fund të Gjirit të Omanit”, thuhet në deklaratë.
Autoritetet amerikane shtuan se operacionet kundër objektivave iraniane po vijojnë, duke përsëritur thirrjen drejtuar forcave të armatosura iraniane që të “ulin armët” dhe të braktisin pozicionet.
Deri tani, Teherani nuk ka konfirmuar zyrtarisht humbjen e anijes, ndërsa mediat shtetërore iraniane nuk kanë dhënë detaje mbi dëmet në flotën detare. Anijet e klasës “Jamaran” konsiderohen pjesë e rëndësishme e kapaciteteve detare të Iranit dhe janë projektuar për operacione në ujërat e Gjirit dhe më gjerë.
Zhvillimi shënon një përshkallëzim të drejtpërdrejtë në dimensionin detar të konfliktit mes SHBA-së dhe Iranit, në një zonë strategjike pranë Ngushticës së Hormuzit, nga ku kalon një pjesë e konsiderueshme e furnizimit global me naftë.
