Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu reagoi pas operacionit të përbashkët të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara kundër Iranit, duke e cilësuar atë si një veprim për të eliminuar një kërcënim serioz ndaj sigurisë së vendit të tij.
Në një video-mesazh publik, Netanyahu falënderoi presidentin amerikan Donald Trump për, siç u shpreh ai, “lidershipin historik” dhe theksoi se operacioni synon të pengojë Iranin të pajiset me armë bërthamore. Sipas tij, një Iran me kapacitete bërthamore do të përbënte rrezik jo vetëm për Izraelin, por edhe për rajonin dhe më gjerë.
Netanyahu deklaroi se veprimi i përbashkët mund të krijojë kushte për ndryshime të brendshme në Iran, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve izraelitë të ndjekin udhëzimet e sigurisë të Komandës së Frontit të Brendshëm.
Ai theksoi se në ditët në vijim pritet një periudhë e vështirë, duke kërkuar durim dhe unitet nga populli izraelit. “Së bashku do të rezistojmë dhe do të sigurojmë të ardhmen e Izraelit”, u shpreh ai në mesazhin drejtuar qytetarëve.
Zhvillimet e fundit kanë rritur tensionet në rajon, ndërsa priten reagime të mëtejshme nga pala iraniane dhe komuniteti ndërkombëtar.
