Kryeministri Edi Rama deklaroi në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS se Belinda Balluku i ka paraqitur dorëheqjen tre herë, por ai e ka hedhur poshtë çdo herë.
Sipas Ramës, dorëheqja e parë është paraqitur që në mbrëmjen kur u bë publike akuza ndaj saj. Ai theksoi se akuza nuk është për korrupsion, por për shkelje të barazisë në tendera.
Rama shtoi se Balluku e ka riparaqitur dorëheqjen edhe pas pezullimit, si dhe një herë të tretë pas vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese.
“Unë e hodha poshtë kategorikisht idenë e dorëheqjes”, u shpreh ai.
Kryeministri argumentoi se në këtë fazë të reformës në drejtësi nuk mund të funksionojë parimi i dorëheqjeve automatike, duke shtuar se duhet respektuar prezumimi i pafajësisë.
Ai theksoi gjithashtu se përpara se të shprehet mbi çështjen e imunitetit të saj, do të presë raportin e Këshillit të Mandateve.
