Kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, ka reaguar lidhur me mbylljen e aksit Librazhd–Përrenjas pas rrëshqitjeve të dherave, duke e cilësuar situatën si një goditje të rëndë për ekonominë kombëtare.
Sipas tij, tregu shqiptar është de facto i shkëputur në disa zona, ndërsa dy porta të rëndësishme doganore, Kapshtica dhe Qafë Thana, mbeten të paralizuara për shkak të bllokimit të qarkullimit. Buxhuku e përshkroi situatën si një “bilanc lufte” për ekonominë, duke theksuar se çdo ditë e humbur përkthehet në miliona euro dëme për bizneset.
Ai paralajmëroi se kontratat e industrive prodhuese në Korçë po dëmtohen dhe dhjetëra kamionë janë bllokuar në rrugë. Sipas tij, nëse situata zgjat, qytetarët mund të detyrohen të furnizohen jashtë vendit, ndërsa Shqipëria rrezikon të humbasë besueshmërinë si urë lidhëse tregtare në rajon.
“Pasuria më e madhe e Shqipërisë nuk është nafta, por pozicioni i saj strategjik. Edhe nëse struktura riparohet nesër, besueshmëria e agjentëve tregtarë është dëmtuar ndjeshëm,” u shpreh ai.
Buxhuku shtoi se, përtej debateve për përgjegjësitë, prioritet duhet të jetë gjetja e një zgjidhjeje të shpejtë, pasi ndikimi ekonomik është i menjëhershëm dhe i prekshëm për bizneset dhe qytetarët.
