“Ura shihet nga helikopteri, ne paguajmë më shtrenjtë” – Rritet bileta pas bllokimit të Juglindjes

Data

Bllokimi i aksit Librazhd–Prrenjas pas rrëshqitjeve masive të dherave ka sjellë pasoja të menjëhershme për banorët e Juglindjes. Përveç izolimit të përkohshëm dhe zgjatjes së itinerareve, qytetarët po përballen edhe me rritje të çmimit të biletës së transportit drejt Tiranës.

Nëse më parë udhëtimi kushtonte rreth 700 lekë të reja, tashmë çmimi ka arritur në 1000 lekë për person. Banorët shprehen të revoltuar, duke theksuar se rritja ka ardhur pa paralajmërim dhe pa një shpjegim zyrtar.

“Për dy veta duhet të paguaj 20 mijë lekë të vjetra. Rrugët shemben, çmimet rriten. Ne me pension nuk përballojmë dot këto kosto,” shprehet një banor, duke nënvizuar vështirësitë ekonomike që po shtohen.

Transporti publik është detyruar të ndryshojë itinerar, duke kaluar nga aksi Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh. Ky devijim e zgjat ndjeshëm kohën e udhëtimit dhe kalon në një segment më të ngushtë, me kthesa dhe me probleme infrastrukturore. Operatorët argumentojnë se rritja e çmimit lidhet me kostot shtesë të karburantit dhe amortizimit për shkak të rrugës alternative.

Ndërkohë, qytetarët shprehin frikën se çmimi i ri mund të mbetet edhe pas rihapjes së aksit kryesor. Ata kërkojnë ndërhyrje nga autoritetet për të kontrolluar tarifat dhe për të ofruar zgjidhje të përkohshme që lehtësojnë barrën financiare.

Situata në Juglindje vijon të jetë e tensionuar, ndërsa pasojat e bllokimit të rrugës po ndihen jo vetëm në lëvizjen e qytetarëve, por edhe në koston e jetesës dhe aktivitetin ekonomik të zonës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related