Shqiptari Pano Ruçi, i cili humbi të birin Denis Ruçi në aksidentin hekurudhor të Tempit tre vite më parë në Greqi, ka ngritur akuza të forta ndaj autoriteteve greke lidhur me procesin e zhvarrimit dhe riekspertimit të trupit.
Ruçi deklaroi në një intervistë për televizionin grek ANT1 se vendimi për zhvarrimin u njoftua vonë dhe se procedurat janë zhvilluar me nxitim, pa garantuar, sipas tij, kushtet e duhura për analiza të plota mjeko-ligjore.
Ai theksoi se mungojnë laboratorët e specializuar dhe mjekët ligjorë për kryerjen e analizave që familja kërkon, përfshirë testet e ADN-së dhe verifikimin e shkaqeve të vdekjes.
Në të njëjtin qëndrim u shpreh edhe avokatja Mary Hatzikonstantinou, përfaqësuese e familjarëve të viktimave të tragjedisë së Tempit, e cila ngriti shqetësime mbi mënyrën e menaxhimit të trupave pas aksidentit dhe kohën e gjatë që ka kaluar deri në procesin e zhvarrimeve.
Pano Ruçi ka deklaruar se kërkon një riekspertim të detajuar, pasi ka dyshime lidhur me identifikimin e trupit dhe rrethanat e vdekjes së djalit të tij.
