Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, së bashku me stafin e tij teknik, kanë rritur intensitetin e punës në prag të ndeshjes “play-off” të Botërorit 2026 ndaj Polonisë.
Gjatë javëve të fundit, stafi kuqezi ka ndjekur nga afër disa sfida të kampionatit “Abissnet Superiore”, për të monitoruar lojtarët që aktivizohen në elitën e futbollit vendas. Mes ndeshjeve të vëzhguara kanë qenë Dinamo City – Vllaznia dhe Egnatia – Dinamo City.
Paralelisht, vëmendja është përqendruar edhe te legjionarët që luajnë në Europë. Në Portugali, Sylvinho ishte i pranishëm në sfidën e Europa League mes Porto dhe Rangers, për të ndjekur nga afër paraqitjen e mesfushorit Nedim Bajrami.
Ndërkohë në Itali, stafi teknik ndoqi ndeshjen Lazio – Atalanta, ku aktivizohen dy titullarë të Kombëtares, Berat Gjimshiti dhe Elseid Hysaj. Gjatë qëndrimit atje, trajneri zhvilloi edhe një takim me kapitenin Gjimshiti, ndërsa në ambientet e FSHF-së priti në vizitë Hysajn, në kuadër të komunikimeve përpara sfidës vendimtare.
Në javët në vijim, janë planifikuar të tjera ndjekje në terren për të vlerësuar gjendjen fizike dhe formën e lojtarëve, teksa përgatitjet për përballjen me Poloninë vijojnë me fokus maksimal.
