Është zhvilluar këtë të martë seanca e radhës për çështjen e “Gërdecit”. Pas përfundimit të saj, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, reagoi për mediat, duke kundërshtuar mënyrën si po zhvillohet procesi gjyqësor.
Mediu deklaroi se prokuroria nuk ka paraqitur prova konkrete, por vetëm akte, duke theksuar se sipas tij nuk ekziston një akt ligjor apo kushtetues që ta implikojë në shpërdorim detyre.
“Ato që pretendon prokuroria si prova s’kanë lidhje me ministrin. S’ka akt ligjor kushtetues që ministri mund të ketë bërë shpërdorim detyre. S’mund të vazhdojë një proces me aludime se çfarë ka ndodhur”, u shpreh ai.
Kundërshtimi për trupën gjykuese
Ish-ministri ngriti gjithashtu shqetësim lidhur me përbërjen e trupës gjykuese, duke deklaruar se gjyqtari i fazës paraprake nuk duhet të jetë i njëjti me atë të gjykimit të themelit.
Procesi për Gërdecin vijon prej kohësh dhe mbetet një nga çështjet më të ndjeshme në sistemin e drejtësisë shqiptare, ndërsa seancat pritet të vazhdojnë në ditët në vijim.
