Një helikopter është rrëzuar në jug të Perusë, duke shkaktuar vdekjen e 15 personave që ndodheshin në bord, mes tyre edhe 7 fëmijë.
Sipas njoftimit të Forcave Ajrore të Perusë, mbetjet e mjetit fluturues u gjetën pranë zonës Chala Viejo, në rrethin Chala të provincës Caravelí. Kontakti me helikopterin ishte humbur të dielën rreth orës 16:30 me orën lokale, çka çoi menjëherë në nisjen e një operacioni kërkim-shpëtimi.
Forcat speciale dhe patrullat e policisë arritën të lokalizonin avionin në orët e para të mëngjesit. Helikopteri po transportonte familjarë të oficerëve të Forcave Ajrore drejt Arequipës, për të shmangur një zonë të bllokuar në Nazka pas rrëshqitjeve të dheut dhe ortekëve.
Autoritetet sqaruan se mjeti ishte angazhuar edhe në operacione ndihme për viktimat e përmbytjeve dhe ortekëve në rajon, si dhe në trajnime të parashutistëve. Kushtet e pafavorshme të motit kanë vështirësuar operacionet e kërkimit dhe zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.
