Gjykata Administrative e Tiranës ka rrëzuar kërkesën për sigurimin e padisë së aktores Anila Bisha, e cila kishte paditur AKSHI-n dhe Këshillin e Ministrave lidhur me përdorimin e imazhit dhe zërit të saj për avatarin qeveritar “Diella”.
Çështja u shqyrtua nga gjyqtari Armand Shkurta, i cili vendosi të mos pranojë kërkesën për pezullimin e menjëhershëm të përdorimit të avatarit deri në përfundim të procesit gjyqësor.
Aktorja kishte kërkuar gjithashtu një dëmshpërblim prej 1 milion eurosh për prishje imazhi, duke pretenduar se imazhi dhe zëri i saj janë përdorur pa miratim për krijimin e figurës digjitale të ministres së Shtetit për Inteligjencën Artificiale, “Diella”.
Sipas saj, kontrata parashikonte përdorimin e imazhit vetëm si asistente virtuale për shërbimet në e-Albania, ndërsa transformimi në figurë ministrore është bërë pa pëlqimin e saj dhe në shkelje të marrëveshjes. Në padi theksohet se krijimi i avatarit është realizuar pa miratim paraprak dhe pa e vënë në dijeni aktoren.
Bisha pretendon se i janë përdorur të dhënat personale – imazhi dhe zëri – për të krijuar një “duplikat digjital” të saj në kundërshtim me ligjin.
Procesi gjyqësor vijon, ndërsa palët e paditura përfshijnë Këshillin e Ministrave, AKSHI-n, kompaninë “Apel” sh.p.k. dhe kryeministrin Edi Rama.
