Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Ami Kozeli, deklaroi se aksi Librazhd–Pogradec është aktualisht i papërdorshëm dhe situata vijon të përkeqësohet, pavarësisht ndërhyrjeve të kontraktorit.
Sipas tij, gjatë natës janë vijuar punimet nga kompania “ANK”, por lëvizjet e terrenit kanë vazhduar. Ura në segmentin e dëmtuar ka pësuar zhvendosje deri në 40 cm, nga të cilat 7 cm vetëm gjatë 24 orëve të fundit.
Rrezik i shtuar nga rrëshqitja
Rezultatet paraprake nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar tregojnë për një plan rrëshqitjeje deri në 7 metra, ndërsa raporti përfundimtar pritet të japë rekomandime konkrete për masat që duhet të merren.
Kozeli theksoi se ky sezon dimëror ka qenë i pazakontë, me reshje të vazhdueshme për rreth tre muaj, çka ka rënduar situatën në terren.
Ura jashtë funksionit
Ura e dëmtuar, e ndërtuar në vitin 1997, sipas kreut të ARRSH-së, është tashmë e degraduar dhe jashtë funksionit për shkak të dëmtimeve të fundit.
Aksi vijon të jetë i mbyllur, ndërsa autoritetet shpresojnë për një rihapje të mundshme nëse kushtet në terren stabilizohen dhe rekomandimet teknike e lejojnë një gjë të tillë.
