Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se në Konferencën për Korridorin VIII, të mbajtur pak ditë më parë në Tiranë, ka pasur ndryshime të papritura në organizim.
Sipas tij, fillimisht ishte parashikuar që mikëpritëse e aktivitetit të ishte Belinda Balluku, por kjo, sipas Berishës, u refuzua nga partnerët ndërkombëtarë. Ai pretendoi se për këtë arsye rolin e mikëpritëses e mori Elisa Spiropali.
Berisha tha se ndryshimet në organizim ndodhën brenda 24 orëve, duke e cilësuar situatën si një “përmbysje” të planit fillestar. Ai shtoi se Balluku nuk ishte e pranishme në takim, duke e lidhur këtë me zhvillimet e fundit politike.
Deklaratat e Berishës vijnë në një klimë të tensionuar politike, ku çështja e Korridorit VIII dhe hetimet ndaj zyrtarëve të lartë janë kthyer në tema të debatit publik.
