Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, sqaroi deklaratën e Policisë së Shtetit lidhur me protestën e opozitës që pritet të zhvillohet sot, duke theksuar se tubimi nuk është miratuar zyrtarisht.
Në një konferencë për mediat, Koçiu bëri të ditur se mosmiratimi i protestës lidhet me procedurat dhe incidentet e ndodhura në tubimet e mëparshme. Megjithatë, ajo nënvizoi se e drejta për të protestuar është kushtetuese dhe se Policia ka detyrimin të ruajë rendin publik.
“Protesta është një e drejtë kushtetuese për t’u zhvilluar në mënyrë paqësore. Pavarësisht nëse është me leje apo pa leje, kushdo që kryen vepra penale do të përballet me ligjin”, u shpreh ministrja.
Koçiu theksoi se klasifikimi i çdo shkeljeje penale i takon organeve përkatëse, ndërsa Policia do të jetë në terren për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e situatës.
