Deputeti i opozitës Belind Këlliçi ka reaguar në rrjetet sociale ndaj retorikës politike të përdorur së fundmi nga mazhoranca, duke theksuar se “burrëria politike matet me veprime dhe jo me fjalë”.
Në reagimin e tij, Këlliçi kritikoi përdorimin e termave që, sipas tij, i përkasin “kodeve primitive të fuqisë”, duke e lidhur këtë me situatën aktuale politike dhe hetimet që përfshijnë zyrtarë të lartë.
Ai sfidoi drejtpërdrejt mazhorancën që të votojë për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke e cilësuar këtë si “provën reale” të vullnetit politik për t’u përballur me drejtësinë.
“Burrëria matet me vepra në fushë racionale dhe jo me fjalë”, shkroi Këlliçi, duke kërkuar që vendimi për imunitetin të merret pa vonesa.
Çështja e Ballukut është kthyer në një nga debatet më të forta politike të javëve të fundit, pas kërkesës së SPAK për autorizim nga Kuvendi lidhur me vijimin e procedurave ndaj saj.
