Partia Demokratike ka nisur përgatitjet për protestën e paralajmëruar sot në orën 18:00 para Kryeministrisë, pavarësisht se Policia e Tiranës ka bërë me dije se nuk e ka autorizuar tubimin.
Ndërkohë, godina e Kryeministrisë është rrethuar me gardh metalik si masë parandaluese sigurie. Në zonë po vendoset edhe podiumi nga ku pritet të mbajë fjalimin kreu i PD-së, Sali Berisha.
Policia argumentoi mosautorizimin e protestës me analizën e riskut, duke kujtuar incidentet e mëparshme ku persona të maskuar hodhën molotovë dhe mjete piroteknike, duke shkaktuar dëmtime te efektivët.
Megjithatë, autoritetet kanë njoftuar se janë marrë masa për garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Nga ora 15:00 dhe deri në përfundim të tubimit do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Situata pritet të monitorohet nga forca të shumta policore gjatë gjithë zhvillimit të protestës.
