Gjykata e Lartë e Shqipërisë rrëzon rekursin e Erion Veliaj kundër akteve të SPAK

Data

Gjykata e Lartë ka vendosur të mos pranojë rekurset e paraqitura nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, duke lënë në fuqi vendimet e mëparshme të shkallëve të tjera që rrëzuan kërkesën e tij për pavlefshmëri të akteve hetimore të SPAK.

Në vendim thuhet: “Mospranimin e rekurseve të paraqitura nga Erion Veliaj kundër vendimit datë 20.10.2025, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.

Veliaj ka pretenduar se hetimet ndaj tij janë kryer në shkelje të ligjit, duke argumentuar se SPAK ka tejkaluar afatet hetimore dhe se prokurori i çështjes është emëruar në mënyrë të paligjshme. Ai ka kundërshtuar gjithashtu faktin që hetimi ka nisur mbi bazën e një kallëzimi anonim, për të cilin pretendon se nuk është bërë verifikim i identitetit.

Në kërkesën e tij, Veliaj ka ngritur edhe pretendime për cenim të së drejtës për mbrojtje efektive, duke theksuar se nuk i është dhënë koha e mjaftueshme për t’u njohur me aktet, si dhe duke kundërshtuar përdorimin e ekspertëve që, sipas tij, nuk kanë qenë të pavarur.

Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025. SPAK ka paraqitur ndaj tij 13 akuza, mes të cilave korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje sendesh të ndaluara në burg. Sipas organit të akuzës, shumica e akuzave lidhen me përfitime të parregullta nga kompani që kanë marrë leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, përballet me akuza për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Çështja pritet të vijojë në proces gjyqësor në Gjykatën e Posaçme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related