Familja shqiptare në Surdullicë në shënjestër pas aksidentit fatal

Data

Një familje shqiptare në Surdullicë, në jug të Serbisë, është vënë në shënjestër të një fushate përndjekëse pas një aksidenti trafiku ku humbi jetën një qytetar serb. I dyshuari për aksidentin është një 20-vjeçar me kombësi shqiptare, i cili është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim.

Megjithëse hetimet janë në vijim dhe autoritetet kanë theksuar prezumimin e pafajësisë, në qytet janë organizuar protesta ku janë dëgjuar thirrje për bojkotimin e furrave të bukës në pronësi të familjes së të riut, si dhe mesazhe për dëbimin e tyre nga Surdullica. Disa nga protestuesit kanë deklaruar se reagimi i tyre nuk ka bazë etnike, por lidhet me kërkesën për drejtësi.

Furrat e familjes janë rrethuar nga policia për arsye sigurie, ndërsa raportohet se gjatë ditëve të fundit ka pasur incidente, përfshirë hedhje vezësh dhe dëmtime të pronës. Sipas raportimeve, familja është detyruar të largohet përkohësisht nga qyteti për shkak të tensioneve.

Gjuha e urrejtjes ndaj familjes shqiptare është përhapur edhe në rrjetet sociale dhe në grupe komunikimi, ku janë bërë thirrje për ndëshkim kolektiv. Disa organizata joqeveritare dhe institucione në Serbi kanë dënuar publikisht targetimin mbi baza etnike, duke theksuar se tragjeditë individuale nuk duhet të shndërrohen në nxitje urrejtjeje.

Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave në Serbi ka dënuar thirrjet për linçim dhe dëbim, duke i cilësuar të papranueshme. Ndërkohë, prokuroria ka bërë të ditur se po heton aksidentin për vepër të rëndë kundër sigurisë në trafik dhe se do të përcaktojë rrethanat e plota të ngjarjes.

Sipas regjistrimit të fundit, në Surdullicë jetojnë vetëm disa qytetarë me kombësi shqiptare, ndërsa në nivel kombëtar shqiptarët përbëjnë një nga pakicat më të mëdha në Serbi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related