Kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka reaguar ashpër ndaj nismës së mazhorancës për ndryshime ligjore që ndalojnë pezullimin nga detyra të kryeministrit, ministrave apo presidentit, duke e cilësuar atë si “grusht shteti në konceptin sesi duhet të funksionojë demokracia”.
Në një intervistë televizive, Lapaj u shpreh se Partia Socialiste po shfrytëzon numrat në Kuvend për të deformuar ligjin në funksion të interesave të momentit. Sipas tij, përdorimi i shumicës parlamentare për të zgjidhur një problem të brendshëm politik përbën precedent të rrezikshëm për demokracinë.
“Ajo që po ndodh është e habitshme. Vendi është keqtrajtuar në të gjitha dimensionet dhe besimi te shteti është vrarë. Elita është konformuar dhe qytetarët e kanë të vështirë të orientohen mbi realitetin,” u shpreh Lapaj.
Ai theksoi se çdo forcë politike duhet të rreshtohet kundër këtij precedenti, pasi sipas tij, nëse lejohet sot, mund të përdoret nesër nga kushdo që ka shumicën.
“Kjo nuk mund të lejohet. Duhet kundërshtuar nga të gjithë. Me këtë logjikë, çdo shumicë e ardhshme mund të deformojë ligjin sipas interesit të vet,” deklaroi ai.
Lapaj bëri me dije se më 1 mars, forca politike që ai drejton do të organizojë protestën e pestë kombëtare, duke theksuar se rezistenca duhet të jetë qytetare dhe përtej siglave partiake.
“Protesta e pestë, më 1 mars, ora 12:00, do të tregojë qëndrueshmëri. Bashkimi duhet të jetë nën flamurin kombëtar, pa sigla partiake,” tha ai, duke shtuar se nuk do t’u bashkohet protestave të thirrura nga parti të tjera.
Sa i përket pjesëmarrjes së Shqipërisë në Bordin e Paqes, Lapaj u shpreh se orientimi euroatlantik është drejtimi i duhur për vendin dhe se bashkëpunimi me SHBA-në mbetet një arritje e rëndësishme e tranzicionit shqiptar.
