“Qeveria e të pandehurve”, Tabaku akuza Vengut: Duhet të ishit nën hetim për Portin e Durrësit

Data

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka lëshuar akuza të forta në Kuvend ndaj ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu, duke e cilësuar qeverinë si “qeveri të të pandehurve”.

Nga foltorja e Parlamentit, Tabaku iu referua periudhës kur Vengu ka qenë i angazhuar në drejtimin e Portit të Durrësit, duke pretenduar se gjatë asaj kohe kanë ekzistuar probleme serioze, përfshirë çështje që lidhen me kontrabandën dhe krimin e organizuar.

“Zoti ministër, unë ju mbaj mend për shumë gjëra, por shkëlqeni te Porti i Durrësit”, u shpreh ajo me ironi, duke shtuar se një ministër i ri nuk duhet të ndërtojë karrierën duke sulmuar opozitën, por duke dhënë llogari për përgjegjësitë e tij.

Tabaku theksoi se qeveria duhet të ishte nën hetim për një sërë çështjesh dhe akuzoi mazhorancën se po përpiqet të shmangë përgjegjësinë politike dhe ligjore. Sipas saj, sulmet ndaj opozitës janë një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga problemet reale.

Ajo i kërkoi ministrit të flasë me përgjegjësi dhe të japë “staturë” detyrës që mban, duke shtuar se procesi i integrimit europian po dëmtohet nga, sipas saj, skandalet dhe mungesa e transparencës.

Në përfundim, Tabaku deklaroi se politika duhet të gjykohet nga rezultatet dhe përgjegjësia që lë pas, duke sfiduar ministrin se çfarë do të mbetet nga mandati i tij në fund të detyrës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related