Deputetja e Partisë së Lirisë, Eris Xhixho, deklaroi se Kuvendi është kthyer në “mburojë politike” për zv/kryeministren Belinda Balluku, duke akuzuar mazhorancën se me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale po tenton të pengojë hetimet ndaj zyrtarëve të lartë.
Sipas saj, nismat ligjore të propozuara nga kryeministri Edi Rama synojnë të krijojnë një “bunker juridik” për qeverinë, ndërsa qytetarët përballen me masa të ashpra për shkelje të vogla, si parkimi apo pagesat e energjisë.
Xhixho theksoi se këto iniciativa cenojnë Reformën në Drejtësi dhe procesin e integrimit europian, duke shtuar se nuk ka barazi para ligjit kur zyrtarët, sipas saj, mbrohen politikisht.
Ajo prezantoi gjithashtu dy projektligje të propozuara nga Partia e Lirisë:
- Uljen e TVSH-së për produktet e shportës nga 20% në 5%, për të lehtësuar koston e jetesës.
- Rikthimin e analizave të detyrueshme laboratorike për produktet ushqimore, me qëllim rritjen e sigurisë ushqimore dhe përputhjen me standardet e BE-së.
Sipas Xhixhos, këto nisma synojnë të mbrojnë interesin e qytetarëve, ndryshe nga ligjet që, sipas saj, favorizojnë klientët e qeverisë.
