Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim në selinë blu me eurodeputetin gjerman Michael Gahler, koordinator i Grupit të Partisë Popullore Europiane në Parlamentin Europian, ku në fokus ishin zhvillimet e fundit politike në Shqipëri dhe procesi i integrimit europian.
Gjatë bisedës, Berisha ngriti shqetësimet e opozitës lidhur me atë që e cilësoi si “afera Balluku” dhe skandalin e AKSHI-t, duke theksuar se ndryshimet ligjore të propozuara nga mazhoranca synojnë të krijojnë mburojë për zyrtarët e lartë përballë drejtësisë.
Sipas tij, ndërhyrjet në legjislacion jo vetëm që dëmtojnë luftën kundër korrupsionit, por përbëjnë edhe një rrezik për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Berisha u shpreh se opozita e mbështet pa kushte integrimin në BE, por kërkon që ai të jetë i bazuar në standarde, meritë dhe funksionim real të shtetit të së drejtës.
Në takim u diskutua gjithashtu edhe çështja e zgjedhjeve të fundit parlamentare. Kreu i PD-së vlerësoi praninë e misionit vëzhgues të Parlamentit Europian dhe theksoi se raportet ndërkombëtare kanë evidentuar, sipas tij, shkelje serioze gjatë procesit zgjedhor.
Një tjetër temë e trajtuar ishte edhe funksionimi i AKSHI-t. Berisha e cilësoi këtë çështje si një skandal me përmasa të mëdha institucionale, duke pretenduar se prek struktura të rëndësishme të administratës dhe sigurisë kibernetike të vendit.
Takimi mes Berishës dhe Gahler u zhvillua në kuadër të vizitës së delegacionit të Parlamentit Europian në Tiranë, ku janë zhvilluar takime si me përfaqësues të mazhorancës, ashtu edhe me opozitën.
