Alarm nga PD në Bruksel, Bardhi: Krimi dhe korrupsioni po fitojnë terren dhe rrezikojnë integrimin

Data

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, së bashku me Jorida Tabakun dhe Albana Vokshin, zhvilluan një takim me Misionin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, të kryesuar nga David McAllister dhe të shoqëruar nga tetë eurodeputetë.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e PD-së vlerësuan raportin e Parlamentit Europian mbi zgjedhjet e 11 majit, ku u evidentua mungesa e barazisë mes palëve dhe ndërhyrja e krimit të organizuar. Sipas tyre, ky raport përbën një këmbanë alarmi për standardet demokratike në vend.

“Deformimi i zgjedhjeve sjell pasoja të rënda në funksionimin demokratik të institucioneve,” u shprehën përfaqësuesit e opozitës, duke theksuar se pa një qeveri teknike që garanton mosndërhyrjen e shtetit dhe pengon përfshirjen e krimit, Shqipëria nuk mund të sigurojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Në takim u ngrit edhe shqetësimi për atë që PD e cilëson si regres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Rasti i zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe, sipas tyre, mbrojtja politike që po i bëhet nga mazhoranca, u konsideruan si test kritik për drejtësinë dhe për rrugën europiane të vendit.

Përfaqësuesit e PD-së pretenduan se kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë një fushatë presioni ndaj institucioneve të drejtësisë, me qëllim intimidimin e tyre dhe pengimin e hetimeve në çështje konkrete. Ata kritikuan gjithashtu propozimet ligjore për rritjen e imunitetit të zyrtarëve, duke i cilësuar në kundërshtim me kërkesat e BE-së për luftë pa kompromis ndaj korrupsionit.

Në diskutim u përfshinë edhe çështjet e bashkëpunimit të pretenduar të qeverisë me krimin e organizuar dhe mungesës së rezultateve në goditjen e pastrimit të parave. Sipas opozitës, ndonëse SPAK ka ndërmarrë disa aksione, drejtuesit kryesorë të organizatave kriminale mbeten të paprekur.

Në përfundim, përfaqësuesit e PD-së falënderuan eurodeputetët për vëmendjen ndaj zhvillimeve në Shqipëri dhe riafirmuan angazhimin e opozitës për integrimin europian, duke theksuar se ky proces duhet të bazohet në meritë dhe standarde të qarta demokratike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related