Situata në Rrjoll të Velipojës është tensionuar sërish këtë mëngjes, pasi banorët kanë bllokuar punimet për ndërtimin e një resorti turistik në zonë. Që në orët e para të ditës, ata kanë penguar lëvizjen e makinerive, duke kundërshtuar vijimin e projektit.
Banorët pretendojnë se toka ku po ndërtohet resorti është pronë e tyre dhe se janë cenuar të drejtat pronësore. Protestat kundër projektit kanë vijuar prej disa ditësh dhe shpesh janë shoqëruar me përplasje me forcat e policisë.
Rreth orës 08:30, efektivët kanë mbërritur në zonë dhe kanë ndërhyrë për të zhbllokuar rrugën, duke larguar protestuesit dhe duke lejuar rifillimin e punimeve.
Gjatë ndërhyrjes, policia ka shoqëruar në komisariat 6 persona për rezistencë ndaj forcave të rendit. Mes të shoqëruarve ndodhet edhe një grua, e cila ka qenë aktive në protestat e banorëve për mbrojtjen e pronës.
