Gjykata Kushtetuese ka vendosur të rihapë për shqyrtim çështjen e Arben Frrokut, i dënuar më herët me burgim të përjetshëm për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj.
Sipas raportimeve, Kushtetuesja ka pranuar kërkesën e Frrokut për rishikim të procesit dhe ka shfuqizuar një vendim të saj të vitit 2018, duke i hapur rrugë rigjykimit të çështjes. Frroku kishte kërkuar shpalljen si antikushtetuese të vendimeve të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda të vitit 2015 dhe të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të vitit 2017, si dhe kthimin e dosjes për rigjykim me një tjetër trup gjykues.
Fillimisht, Gjykata e Krimeve të Rënda e kishte shpallur të pafajshëm Frrokun, duke mos pranuar rrëfimin e një dëshmitari të mbrojtur lidhur me atentatin ndaj komisarit Lamaj, i cili u vra në shkurt të vitit 2013 pranë banesës së tij.
Në Apel, vendimi u përmbys dhe Frroku u dënua me burgim të përjetshëm. Në atë kohë ai ishte larguar nga Shqipëria dhe më vonë u zbulua jashtë vendit me identitet të rremë. Aktualisht, ai ende nuk është ekstraduar.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rihapjen e procesit u shpall një ditë më parë.
