Sot zhvillohet seanca përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në fjalën e tij përfundimtare, avokati i Thaçit, Lluka Mishetiç, deklaroi se nuk ekziston asnjë provë që klienti i tij të ketë qenë i përfshirë në krime lufte apo në një “qëllim të përbashkët kriminal”, siç pretendohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Sipas mbrojtjes, dëshmitë e paraqitura gjatë gjykimit, përfshirë ato të dëshmitarëve ndërkombëtarë dhe ish-pjesëtarëve të UÇK-së, nuk e lidhin Thaçin me ndonjë politikë që synonte kundërshtarët apo me veprime të paligjshme gjatë luftës.
Mishetiç theksoi se prokuroria “premtoi shumë, por nuk paraqiti prova bindëse”, duke shtuar se gjykata nuk mund të mbështetet në hamendësime për të arritur në një vendim fajësie. Sipas tij, akuzat nuk janë provuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.
Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka zgjatur disa vite dhe ka qenë një nga çështjet më të ndjeshme për opinionin publik në Kosovë. Vendimi i trupit gjykues pritet të shpallet në një fazë të mëvonshme.
