Analisti Ermal Peçi ka reaguar ndaj nismës së mazhorancës për ndryshimet ligjore, duke i cilësuar ato si përpjekje të kryeministrit Edi Rama për të mbrojtur veten dhe bashkëpunëtorët e tij nga hetimet e drejtësisë.
I ftuar në një studio televizive, Peçi u shpreh se SPAK ka avancuar hetimet deri në nivelet më të larta të qeverisë, duke krijuar, sipas tij, presion të drejtpërdrejtë ndaj Kryeministrisë.
“Rama është i trembur sepse SPAK ka hyrë deri në paradhomën e Kryeministrisë. Kemi çështjen e AKSHI-t, dorëheqje të zyrtarëve të lartë dhe hetime që po afrohen gjithnjë e më shumë pranë tij,” tha analisti.
Sipas Peçit, ndryshimet e propozuara në ligj, të cilat ai i cilësoi si “amendamenti Rama-Balluku”, synojnë të krijojnë një mburojë politike ndaj ndërhyrjeve të drejtësisë. Ai shtoi se ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë dhe se askush nuk duhet të ketë privilegje përballë hetimeve.
Peçi theksoi se tentativa për të ndryshuar kuadrin ligjor në këtë moment interpretohet si përpjekje për të fituar kohë dhe për të zbutur pasojat e mundshme nga hetimet në vijim.
“Dikur Rama thoshte se kushdo duhet të japë llogari para drejtësisë. Sot ai po përpiqet t’i paraprijë ngjarjeve duke krijuar mekanizma mbrojtës. Kjo, sipas meje, bëhet për veten e tij,” përfundoi analisti.
