Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga takimi me mbështetës në Krujë, ka hedhur akuza të forta ndaj Partisë Socialiste dhe kryeministrit Edi Rama.
Berisha deklaroi se në Shqipëri është vendosur, sipas tij, një “diktaturë e dytë”, e cila nuk ndalon partitë politike me ligj, por shtyp pluralizmin në praktikë. Ai tha se pushtetet janë përqendruar në duart e një njeriu të vetëm dhe se administrata publike është e politizuar.
Sipas kreut të PD-së, Partia Socialiste me Ramën në krye mbështetet mbi “tre shtylla kryesore: vjedhjen, mashtrimin dhe krimin”. Ai e cilësoi këtë situatë si “fatkeqësinë më të madhe” për vendin dhe akuzoi mazhorancën se po nxit largimin e shqiptarëve nga vendi.
Deklaratat u bënë në kuadër të turit të takimeve me strukturat e partisë, ku Berisha bëri thirrje për mobilizim politik përballë zgjedhjeve të ardhshme.
