Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë ka shpallur vendimin për çështjen e pagave të gjyqtarëve, duke pranuar pjesërisht kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve dhe Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve.
Pas një seance maratonë që zgjati mbi 8 orë, Gjykata vendosi:
- Shfuqizimin e fjalisë së parë të shkronjës “a” të nenit 1 dhe pikës 2 të nenit 2 të ligjit nr. 33/2023 (25.05.2023), si të papajtueshme me Kushtetutën.
- Detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë për të miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore në përputhje me vendimin, brenda datës 31 korrik 2026.
Si nisi përplasja?
Debati lidhej me formulën e referencës për pagën e gjyqtarëve:
- Në ndryshimet e vitit 2016, paga e tyre referohej me pagën e një drejtori departamenti pranë Këshillit të Ministrave.
- Në vitin 2023, mazhoranca e ndryshoi formulën, duke e lidhur pagën me atë të Presidentit të Republikës.
Gjyqtarët argumentuan se paga e Presidentit nuk indeksohet dhe nuk ndryshon, çka sipas tyre cenonte parimin kushtetues të mosuljes së pagës së gjyqtarëve.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Kushtetuese theksoi se e ka shqyrtuar çështjen pikërisht në këndvështrimin e nenit kushtetues që garanton pavarësinë ekonomike të gjyqtarëve dhe ndalon uljen e pagës së tyre.
