Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësime në Komisionin e Ligjeve gjatë diskutimit për projektligjin e Qeverisjes Elektronike, duke kërkuar një audit të plotë dhe të pavarur për fondet e administruara nga AKSHI ndër vite.
Sipas saj, pavarësisht hetimeve dhe akuzave të ngritura për tenderat në fushën e teknologjisë, mungon një kontroll i thelluar financiar, teknik dhe i sigurisë për mënyrën se si janë përdorur rreth 500 milionë euro fonde publike.
“Ato tendera 500 milionë euro që jepte AKSHI, që deri dje ashtu siç thotë edhe SPAK janë dhënë nga një grup i strukturuar kriminal”, deklaroi Tabaku në komision, duke kërkuar transparencë të plotë mbi procedurat dhe kontratat.
Kundërshtime për infrastrukturën digjitale
Tabaku kundërshtoi gjithashtu propozimin për kalimin e infrastrukturës kritike digjitale – përfshirë databazat dhe sistemet shtetërore – në një shoqëri aksionere me përfshirje private.
“Kush do të kujdeset për sigurinë kombëtare? Kush do të kujdeset për të dhënat e shqiptarëve që mos dalin sheshit?”, u shpreh ajo, duke theksuar se në vendet e Bashkimit Europian infrastruktura kritike administrohet nga shteti për shkak të ndjeshmërisë së të dhënave.
Deputetja paralajmëroi se transferimi në një strukturë hibride, pa garanci të qarta dhe pa konsultim me autoritetet për mbrojtjen e të dhënave, krijon një precedent problematik.
Në përfundim, Tabaku kritikoi mënyrën e funksionimit të Kuvendit, duke deklaruar se “ligje që e kanë kthyer parlamentin në noter” rrezikojnë të thellojnë, sipas saj, institucionalizimin e pandëshkueshmërisë.
