Reshjet e fundit të shiut kanë sjellë sërish përmbytje në disa banesa në Njësinë Administrative Bradashesh, pranë zonës së ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan. Uji ka depërtuar në oborre dhe ambiente të brendshme, duke shkaktuar dëme materiale dhe shqetësim të madh te banorët e zonës.
Sipas strukturave të Emergjencave Civile pranë Bashkisë Elbasan, situata është përkeqësuar si pasojë e bllokimit të kanaleve kulluese, të cilat dyshohet se janë mbushur me inerte. Autoritetet bëjnë me dije se kjo nuk është hera e parë që evidentohen probleme me sistemin kullues në këtë zonë.
Një tjetër shkak i përmendur është dalja nga shtrati e përroit të Kushës, i cili rezulton i mbushur me sasi të konsiderueshme inertesh, duke ulur kapacitetin për të përballuar prurjet e shumta gjatë reshjeve intensive.
Banorët shprehen të revoltuar dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për pastrimin e kanaleve dhe rehabilitimin e përroit, me qëllim shmangien e situatave të ngjashme në të ardhmen. Ata theksojnë se përmbytjet po përsëriten dhe se nevojiten masa të qëndrueshme për zgjidhjen e problemit.
Ndërkohë, institucionet përgjegjëse kanë nisur verifikimet në terren për të identifikuar shkaqet dhe përgjegjësitë, si dhe për të marrë masa administrative dhe ligjore ndaj çdo subjekti që mund të ketë ndikuar në përkeqësimin e situatës. Paralelisht, po punohet për hapjen dhe pastrimin e kanaleve kulluese për të normalizuar rrjedhën e ujit.
