Pas 12 vitesh në Siri, Eva Dumani është rikthyer në Shqipëri, duke mbyllur një kapitull të gjatë dhe të vështirë për familjen e saj. Riatdhesimi i saj erdhi pas disa përpjekjeve të dështuara ndër vite, si nga familjarët ashtu edhe nga autoritetet shqiptare.
Ish-drejtori i Antiterrorit, Gledis Nano, i cili ka udhëhequr operacione të mëparshme për riatdhesimin e shqiptarëve nga kampet në Siri, e cilësoi operacionin e fundit si tepër kompleks për shkak të situatës së tensionuar të sigurisë në veri-lindje të Sirisë.
Sipas tij, një rol të rëndësishëm në suksesin e operacionit ka pasur daja i Evës, i cili ka kontribuar në koordinimin dhe realizimin e kthimit të saj. Nano theksoi gjithashtu se në një nga tentativat e mëparshme, Eva ishte penguar të rikthehej nga një grua në kamp, e cila kishte refuzuar edhe riatdhesimin e fëmijëve të saj.
Vëllai i Evës, Endri Dumani, ishte riatdhesuar në tetor të vitit 2020 nga kampi Al Hol, ndërsa Eva kishte mbetur në zonë për shkak të rrethanave dhe pengesave të krijuara nga persona të tjerë në kamp.
Tashmë, sipas Nanos, Eva Dumani do t’i nënshtrohet një procesi ekzaminimi mjekësor dhe vlerësimi psikologjik. Më pas, ajo do të përfshihet në një program rehabilitimi dhe riintegrimi, që synon rikthimin gradual në jetën normale dhe sociale.
Sipas të dhënave zyrtare, që prej vitit 2012 rreth 150 shtetas shqiptarë kanë udhëtuar drejt Sirisë për t’iu bashkuar grupeve ekstremiste. Aktualisht, mendohet se rreth 30 prej tyre vijojnë të ndodhen në zonat e konfliktit.
