Kremlini ka reaguar ndaj akuzave të ngritura nga Mbretëria e Bashkuar dhe disa vende evropiane, sipas të cilave lideri i opozitës ruse, Alexei Navalny, u helmua me një toksinë të rrallë gjatë kohës që vuante dënimin në një burg rus në vitin 2024.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, i cilësoi pretendimet si pjesë e një “fushate dezinformuese nga Perëndimi”, duke theksuar se akuzat janë të pabazuara.
“Do të ketë rezultate analizash, do të ketë formula të substancave. Pa këtë, të gjitha bisedimet dhe deklaratat e dhëna janë një fushatë që synon të largojë vëmendjen nga problemet e Perëndimit”, u shpreh Zakharova.
Në të njëjtën linjë reagoi edhe ambasada ruse në Mbretërinë e Bashkuar. Në deklaratën zyrtare thuhet se pretendimet nuk përbëjnë një kërkim për drejtësi, por “një tallje me të vdekurit”.
“Edhe pas vdekjes së një qytetari rus, Londra dhe kryeqytetet evropiane nuk mund t’i japin atij paqe, gjë që flet shumë për nxitësit e kësaj fushate”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Akuzat ndaj Moskës vijnë pas publikimit të analizave nga disa vende evropiane, të cilat pretendojnë se në mostrat biologjike të Navalnyt është gjetur një substancë toksike e rrallë. Rusia, ndërkohë, vazhdon të mohojë çdo përfshirje në vdekjen e tij.
