Bashkimi Evropian mund të pezullojë fondet prej 1.6 miliardë eurosh të destinuara për Serbinë në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, pas miratimit të ligjeve të reja që, sipas Brukselit, minojnë sundimin e ligjit.
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se ndryshimet e fundit në sistemin gjyqësor kanë “gërryer besimin” ndaj angazhimit të Serbisë për reforma reale. Sipas saj, bëhet gjithnjë e më e vështirë për vendet anëtare të BE-së të justifikojnë mbështetjen për përparimin e Beogradit në procesin e integrimit.
Reformat, që përfshijnë kufizimin e mandateve të kryeprokurorëve dhe rritjen e kompetencave të kryetarëve të gjykatave mbi gjyqtarët, janë kritikuar nga vetë përfaqësues të sistemit të drejtësisë në Serbi. Ata paralajmërojnë se ndryshimet mund të forcojnë kontrollin politik mbi gjyqësorin dhe të dobësojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kos theksoi se fondet e parashikuara janë të kushtëzuara me përmbushjen e standardeve të sundimit të ligjit. Serbia, e cila ka hapur negociatat për anëtarësim që në vitin 2014, vijon të përballet me kritika për korrupsion dhe institucione të dobëta, çka ka ngadalësuar procesin e integrimit evropian.
