Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka akuzuar mazhorancën për zvarritje të qëllimshme të kërkesës së SPAK për imunitetin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke kërkuar mbledhjen e menjëhershme të Këshillit të Mandateve.
Në një intervistë televizive, Zhupa deklaroi se opozita nuk do të lejojë shkeljen e Kushtetutës, duke theksuar se Gjykata Kushtetuese e ka përfunduar misionin e saj dhe se tashmë i takon Kuvendit të marrë vendimin për imunitetin. Sipas saj, çdo vonesë është përpjekje për të mbrojtur qeverinë nga drejtësia.
Deputetja demokrate denoncoi gjithashtu dhunën ndaj deputetëve gjatë protestës kombëtare, duke e cilësuar reagimin e policisë disproporcional dhe të pajustifikuar.
Sa i përket projektit në Durrës, Zhupa kundërshtoi planin e hartuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, duke e cilësuar të pakonsultuar me banorët dhe në dëm të trashëgimisë kulturore e pronave private. Ajo tha se opozita do të vijojë mbështetjen për banorët që kundërshtojnë projektin, si edhe për grupet e tjera në protestë, përfshirë minatorët që kërkojnë njohjen e statusit të tyre.
