Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka rikthyer në fokus nismën për miratimin e “Statusit të Minatorit”, një propozim ligjor i depozituar prej një viti dhe tashmë në diskutim.
Sipas saj, iniciativa synon përmirësimin e kushteve të punës në miniera, organizimin e minatorëve përmes kontratave kolektive, rritjen e përfitimeve financiare dhe uljen e moshës së daljes në pension.
Tabaku theksoi se minatorët ushtrojnë një nga profesionet më të vështira dhe me ndikim të madh në shëndet, ndërsa pagesat dhe pensionet aktuale i konsideroi të pamjaftueshme. Ajo kritikoi qeverinë për mosgarantimin e një pensioni dinjitoz dhe për mungesë kontrolli mbi kontratat koncesionare në sektorin minerar.
Sipas saj, zgjidhja kërkon vullnet politik për t’u dhënë minatorëve mbështetjen që meritojnë.
