Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka evidentuar shkelje të shumta financiare dhe proceduriale në Autoritetin Portual Durrës për periudhën kur institucioni drejtohej nga Pirro Vëngu, aktualisht ministër i Mbrojtjes. Sipas një projektraporti auditimi të majit 2024, dyshohet për parregullsi në tendera me vlerë rreth 32 milionë euro, përfshirë investime dhe procedura prokurimi me mangësi të theksuara dokumentacioni.
Në raport theksohet se janë konstatuar ndryshime të plan-biznesit 2021–2023 pas përfundimit të periudhës, me rritje të konsiderueshme të shpenzimeve dhe investimeve, ndërkohë që të ardhurat kanë mbetur të pandryshuara. Vetëm për vitin 2021, shpenzimet janë rritur me qindra milionë lekë, ndërsa investimet me rreth 16 milionë euro.
Një pjesë e veçantë e auditimit lidhet me tenderët për blerjen e vinçave në vitin 2022, me vlerë rreth 8 milionë euro, ku KLSH ka konstatuar pagesa paraprake pa faturë tatimore, kritere të dyshuara si favorizuese dhe mangësi në dokumentacion. Sipas audituesve, procedurat krijojnë rrezik financiar për buxhetin e shtetit.
Po ashtu, në raport përmenden shpenzime të konsiderueshme për konsulenca në lidhje me projektin e Portit të ri në Porto Romano, si dhe çështje të tjera që lidhen me menaxhimin financiar dhe vendimmarrjen e organeve drejtuese.
Nuk është bërë ende e qartë nëse raporti përfundimtar i KLSH-së është referuar pranë SPAK për hetime të mëtejshme.
