Gazetari Basir Çollaku deklaroi se procesi për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku po zvarritet me qëllim që të kapërcehet afati 3-mujor i kërkesës së SPAK, i cili përfundon më 16 mars.
Sipas tij, ndryshimi në formulimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese – nga hyrja në fuqi “menjëherë” në vendimin e parë, tek hyrja në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare në vendimin e fundit – krijon një shtyrje proceduriale prej rreth 45 ditësh (30 ditë për arsyetimin dhe 15 ditë për publikimin).
Çollaku pretendon se kjo vonesë do të bënte të pamundur që Këshilli i Mandateve të paraqesë në kohë relacionin në Kuvend për heqjen e imunitetit dhe kërkesën për arrestim.
Ai shtoi se, sipas tij, qeveria është në përballje të hapur me drejtësinë dhe se çështja ka marrë vëmendje edhe nga partnerët ndërkombëtarë.
