Një ngjarje tronditëse është zbuluar në departamentin Haute-Saône në Francë, ku dy foshnja janë gjetur të pajeta brenda një frigoriferi në një banesë private.
Sipas mediave franceze, mes tyre BFMTV, zbulimi është bërë nga babai i familjes, i cili ka njoftuar menjëherë autoritetet pasi ka konstatuar trupin e një foshnje në frigorifer. Pas mbërritjes në vendngjarje, forcat e policisë kanë gjetur edhe foshnjën e dytë në të njëjtin ambient.
Në lidhje me ngjarjen është arrestuar një grua 50-vjeçare, e cila dyshohet si e përfshirë në rast. Autoritetet kanë konfirmuar ndalimin e saj, ndërsa hetimet janë në vijim për të sqaruar rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë.
Ende nuk është bërë e qartë marrëdhënia e saktë e gruas me dy foshnjat e gjetura të pajeta, ndërsa prokuroria pritet të japë detaje të mëtejshme pas përfundimit të veprimeve të para hetimore.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Francë, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht këtë rast.
