“Mos u fshihni pas procedurave”/ Boçi akuza mazhorancës: Po mbroni imunitetin e kryeministrit

Data

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka mbajtur një fjalim të ashpër në Kuvend, duke akuzuar mazhorancën se po përdor procedurat parlamentare për të shmangur përballjen me drejtësinë në lidhje me çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Boçi deklaroi se kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut po mbahet pezull, ndërsa sipas tij, në thelb bëhet fjalë për “imunitetin e kryeministrit”. Ai akuzoi shumicën se po tenton të “shpikë dispozita ligjore” për të mbrojtur veten dhe për të penguar procesin hetimor.

“A heziton SPAK të marrë në hetim apo të pandehur kryeministrin? Ja ku jemi dhe të gjithë fshiheni pas procedurave. Mbani një kërkesë të SPAK për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres dhe ky në fakt është imuniteti i kryeministrit,” u shpreh Boçi nga foltorja e Kuvendit.

Ai solli në vëmendje edhe situatën e tensionuar jashtë Parlamentit, duke përmendur mungesën në sallë të deputetit Bledjon Nallbati, për të cilin tha se ishte goditur nga policia e shtetit.

Në vijim, Boçi kritikoi edhe ndërhyrjen e forcave speciale RENEA gjatë protestave, duke vënë në pikëpyetje prioritetet e tyre. “Kë njohin këto forca? Ata që janë shpallur në kërkim a i njohin? Të dalin të bëjnë një bilanc sa nga të kërkuarit e shpallur nga SPAK janë arrestuar,” tha ai.

Debatet në Kuvend vijojnë të jenë të tensionuara, ndërsa çështja e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut mbetet në qendër të përplasjes politike mes mazhorancës dhe opozitës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related