Është zbardhur identiteti i 32-vjeçarit shqiptar që humbi jetën katër ditë më parë në një aksident të rëndë në Itali. Viktima është Leonard Fjora, banues në Marzabotto.
Ngjarja ndodhi në autostradën Porrettana, në zonën e Bolonjës, ku automjeti tip “Volkswagen” që drejtonte u përplas kokë më kokë me një kamion plehrash. Përplasja ishte shumë e fortë dhe makina e të riut shpërtheu në flakë, duke u shkrumbuar plotësisht.
Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të zjarrfikësve, ambulancës dhe policisë, për 32-vjeçarin nuk pati mundësi shpëtimi. Trupi i tij u karbonizua, ndërsa identifikimi u vështirësua për shkak të dëmtimeve të rënda dhe djegies së dokumenteve personale.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se një nga shkaqet e aksidentit ka qenë moti i keq dhe prania e akullit në rrugë, që e bënte asfaltin të rrëshqitshëm. Automjeti i 32-vjeçarit ka kaluar në korsinë e kundërt, ku u përplas me kamionin dhe më pas me barrierat mbrojtëse, duke u ndarë në dy pjesë para se të përfshihej nga flakët.
Nuk përjashtohet mundësia që dalja nga korsia të ketë ndodhur për shkak të rrëshqitjes ose një manovre të gabuar parakalimi. Dyshohet gjithashtu se i riu mund të ketë humbur ndjenjat pas përplasjes, çka e ka penguar të dalë nga mjeti.
Shoferi 61-vjeçar i kamionit mbeti pothuajse i padëmtuar, por në gjendje shoku, dhe mori ndihmë mjekësore në vendngjarje. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë nga autoritetet italiane.
