Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë për ushtrim dhune edhe ndaj deputetëve të opozitës gjatë protestës së fundit, duke u ndalur veçanërisht tek rasti i deputetit Bledion Nallbati.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha u shpreh se ndaj Nallbatit është përdorur gaz lotsjellës në fytyrë, ndërsa ai, sipas tij, po ndihmonte një të mitur të keqtrajtuar. Ai e cilësoi këtë veprim si “akt politik kriminal” dhe si një hakmarrje politike.
“Goditja e Bledion Nallbatit, përpjekja për ta asfiksuar me gaz në fytyrë përbën akt të shëmtuar,” tha Berisha, duke shtuar se dhuna nuk kurseu as deputetët e Kuvendit.
Ai përmendi edhe deputetin Zija Ismaili, për të cilin tha se është përballur me sjellje brutale nga forcat e rendit. Sipas Berishës, këto veprime tregojnë se kryeministri Edi Rama po kërkon një përballje civile dhe po vepron për të shmangur përgjegjësinë përballë ligjit.
Berisha dënoi gjithashtu arrestimet e protestuesve, duke deklaruar se, sipas tij, qytetarët po ushtronin të drejtën kushtetuese për të protestuar.
Nga ana e autoriteteve nuk ka ende një reagim zyrtar mbi këto akuza.
