Një ngjarje e rëndë ka tronditur Kanadanë, ku 10 persona kanë humbur jetën dhe të paktën 27 të tjerë janë plagosur pas një sulmi me armë zjarri në një shkollë në Tumbler Ridge, në provincën e British Columbia.
Sipas policisë, tetë persona u vranë në ambientet e shkollës së mesme të qytetit, ndërsa një grua, e cila dyshohet të jetë autorja e sulmit, është mes viktimave. Dy persona të tjerë u gjetën të pajetë në një banesë pranë shkollës, dhe autoritetet po hetojnë nëse incidentet janë të lidhura mes tyre.
Royal Canadian Mounted Police konfirmoi se të paktën 27 persona kanë mbetur të plagosur, mes tyre dy në gjendje shumë të rëndë, të cilët janë transportuar me helikopter drejt një spitali rajonal.
Tumbler Ridge, një qytet me rreth 2.400 banorë, ndodhet mbi 1.000 kilometra në veri të Vancouverit, pranë kufirit me Albertën. Shkolla e mesme e qytetit numëron rreth 175 nxënës nga cikli i mesëm i ulët dhe i lartë.
Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, reagoi duke shprehur tronditjen dhe dhimbjen për ngjarjen. “Jam i shkatërruar nga të shtënat e tmerrshme që ndodhën sot. Lutjet dhe ngushëllimet e mia shkojnë për familjet dhe miqtë që kanë humbur të dashurit e tyre në këtë akt të tmerrshëm dhune,” shkroi ai në një reagim publik.
Zyra e kryeministrit njoftoi se ai ka pezulluar udhëtimet e planifikuara në Halifax dhe Mynih, për t’u përqendruar në menaxhimin e situatës dhe mbështetjen për komunitetin e prekur.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat dhe motivin e sulmit, ndërsa vendi ndodhet në zi dhe tronditje të thellë.
